Video e vjetër e Ali Ahmetit, ku kreu i BDI-së shihet në kabinetin e zv/kryeministrit Artan Grubi, duket se ka shkaktuar mosmarrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së, përcjell TV21. Siç mëson TV21, video që u publikua për ditëlindje të Ali Ahmetit, e që është xhiruar para tre muajve, ka shkaktuar probleme në seancë qeveritare. Në video shihet Ahmeti duke kënduar me këngëtarin Ilir Shaqiri, dhe duke pirë duhan në mjedis të mbyllur.
Burime brenda qeverisë thonë se debati filloi pasi zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska hapi temën se pse institucionet shtetërore keqpërdoren për qëllime private apo partiake. Po ashtu pati një reagim edhe për pirjen e duhanit në ambient të mbyllura.
Sipas burimeve, për këtë ka reaguar menjëherë kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili i ka thënë “Mirë bre, duhan pihet kudo”.
Kundërpërgjigja e Gërkovskës ishte “po, gjithkund pihet, por për këtë rast është publikuar video dhe ka dëshmi”.
Sipas burimeve, kryeministri u përgjigj sërish se nuk mund të ndjekë atë që po ndodh në të gjitha institucionet.
Në mbledhje thuhet se ka reaguar zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, i cili iu përgjigj thirrjeve, duke thënë se edhe ai ka informacione të marra nga Antikorrupsioni dhe Prokuroria, se ka dëshmi për zyrtarë të LSDM-së që kanë keqpërdorur funksionet e tyre.