I pari i Kuvendit në RMV, Afrim Gashi, në paraqitjen e tij të fundit televizive për këtë vit, edhe një herë e ndezi debatin për statusin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas të cilit ka pasur edhe sërë reagimesh nga spektri politik në vend.
“Gjuha maqedonase është gjuhë e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer”, ka thënë kryeparlamentari Gashi, i cili seancat e Kuvendit në Maqedoninë e Veriut i udhëheq në gjuhën shqipe.
Nga Fronti Europian kanë thënë se pohimi i Gashit se gjuhë e vetme zyrtare në vend është gjuha maqedonase, dhe se gjuha shqipe është një gjuhë e përkthyer përbën jo vetëm një “gënjeshtër të hapur, por edhe një tradhti të rëndë ndaj popullit shqiptar, historisë sonë dhe të drejtave tona të fituara me shumë mund.”
“Është tronditëse, por jo e habitshme që Gashi një person i përzgjedhur për të shërbyer si kukull në hierarkinë e shtetit, të bjerë kaq poshtë, duke arritur nivele vetëposhtërimi që as anti-shqiptarët më të zjarrtë nuk kanë guxuar t’i prekin”, deklaroi deputetja Arbana Pasholli nga Fronti Evropian.





