Më 10 dhjetor të vitit 1901, ndahen për herë të parë Çmimet Nobel. Pas negociatave të tejzgjatura, pjesërisht me qeverinë franceze e cila kërkonte të vendoste një taksë shumë të lartë mbi pasurinë e Alfred Nobelit dhe pjesërisht, pas bisedimeve me familjen Nobel rreth çështjes së trashëgimisë, më në fund u bë e mundshme dhënia për herë të parë e 5 çmimeve, aq sa Nobel kishte lënë me testament.
Ceremonia për 4 prej tyre Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi, u zhvillua në Stokholm dhe ceremonia e Çmimit për Paqe, u mbajt në Christiania, kryeqyteti norvegjez që më vonë do të emërtohej, Oslo.
Kur tre gjermanë të shquar – erdhën me tren nga jugu dhe zunë vend në Hotel Grand, Stokholm, u bë e qartë se ata duhet të jenë laureatë të çmimit Nobel, shkruan KP.
Trafiku ndërkombëtar në atë kohë nuk ishte aq i madh sa sot, dhe mbërritja e njerëzve të huaj përbënte lajm. Në ceremoninë në Stokholm, në sallën e Akademisë së Muzikës, çmimet u ndanë për arritjet në Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi. Salla u mbush gradualisht me njerëz në veshje festive.Më pas, tre fituesit hynë pa bujë, muzikë a duartrokitje siç është zakon sot.





