“Në vitin 1959, Qeveria rumune e asaj kohe dha një urdhër që të gjithë shtetasit rumunë mund të riktheheshin të jetonin në Rumani. Atëherë ne shkuam menjëherë në Ambasadë, por na duhej dhe një miratim që shteti shqiptar na lejonte të iknim, më saktë Ministria e Brendshme. Nuk na ndaluam të iknim” – thotë në një intervistë për DW. Ndalesa e parë e familjes Murzaku do të ishte qytet-porti i Konstancës në Rumani, aty ku ndër shekuj zbarkonin shqiptarët e Rumanisë. “Ne erdhëm me vapor rus. Atëherë isha basketbollist, luaja me Tiranën, ish-“17 Nëntorin”. Kuzhinierja e tragetit na thoshte: Hani! Se ne ishim shumë të dobët. Gjatë udhëtimit ndaluam në Piré të Greqisë. Aty pushuam 5-6 orë, duke gjezdisur dhe parë dyqanet. Para se të nisesha kisha bërë një palë këpucë me porosi, por kur pashë ato dyqane, këpucët e mia dukeshin si opinga”, tregon mes nostalgjisë Ilia.
Me të mbërritur, autoritetet vendëse i pyetën nëse donin të vendoseshin në Konstancë apo në Bukuresht. Familja zgjodhi Bukureshtin, pasi varri i të vëllait ishte aty. Ca vite më vonë, në 1966-n do të tërhiqnin edhe eshtrat e të atit. Ajo do të ishte dhe hera e fundit kur Ilia do ta vizitonte Shqipërinë, deri në rikthimin pas viteve ’90. Ikja nga një shtet në diktaturë, në një tjetër vend diktatorial, kishte sa ngjashmëri, aq edhe ndryshime, sipas Ilias”. Ato vite dhe këtej sapo kishte nisur diktatura. Diferenca Shqipëri-Rumani dikur ishte, si Rumani-Amerikë. Këtej i gjetëm dyqanet plot. Ndërsa në Tiranë kishim bukën me racion. Nëna ime merrte 400 gramë bukë dhe ma jepte mua racionin e saj. Bëje hesap vetë. Ishte krizë e madhe. Ndërsa këtu nisëm të visheshim, të mobilonim shtëpinë, udhëtonim edhe në vende demokratike”.
Integrimin nuk e pati të vështirë, pasi shpejt u regjistrua në Institutin e Fiskulturës në Bukuresht dhe mësoi dhe gjuhën rumune. Më vonë u njoh edhe me një vajzë rumune, që u bë më pas gruaja e tij. Edhe për të zënë miq, nuk ishte aspak e vështirë, sepse, siç thotë Ilia, në ato vite gëzohej respekt për shqiptarët dhe komunitetin shqiptar. “Ka qenë një organizatë shqiptare e mirorganizuar. Kishin shtëpinë e tyre të kulturës. Mblidheshim, këndonim, madje këndonim dhe këngë patriotike të vjetra. Kishte çifte të përziera dhe partnerët rumunë mësonin këngët tona. Atëherë komuniteti ka qenë shumë më i madh, ndërsa tani nuk flasin as gjuhën”.
Për Ilian, mallin e Shqipërisë, aty ku nuk mund të udhëtohej më pas izolimit gjatë diktaturës, e shuanin takimet me grupet e sportistëve shqiptarë që vinin në Bukuresht. Ai i shoqëronte ato në ndeshjet dhe vizitat që kryenin, duke praktikuar në këtë mënyrë edhe gjuhën shqipe. Ai u rikthye në Tiranë në vitin 1991, përmes rrugës tokësore, ku gjëja e parë që i ra në sy ishin bunkerët, rrugët me gropa dhe malet e shpyllëzuar.
Renata Topçiu u rrit duke folur shqip dhe rumanisht. Prindërit e saj u njohën në Bukuresht, kur i ati, me origjinë nga Korça, ishte student mjekësie, dhe e ëma, rumune nga Bukureshti, studente e Filologjisë, në Degën Frëngjisht-Rumanisht. Ata u martuan në vitin 1958 dhe më pas vendosën të jetonin në Shqipëri. “Është pak e ndryshme fëmijëria kur njëri nga prindërit është i huaj. Bëhesh fëmijë dygjuhësh. Është pasuri e vërtetë, sepse gjuha që mëson në fëmijëri bëhet pronë e jotja, e cila arrin në të njëjtin nivel me gjuhën e vendit ku ke lindur dhe je shkolluar dhe të hapë një dritare tjetër, për të njohur një kulturë tjetër”, thotë Renata për Deutsche Welle.