“Kontratën për punë e kam për tre muaj gjatë verës – qershor, korrik gusht – nëse më ik qershori më ka ikur një e treta e sezonit”, shprehet Ahmeti.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se përpos Shkupit, në të gjitha qytetet e tjera të vendit mbi 80 për qind e qytetarëve janë pajisur me dokumente personale.
Për qytetarët nga Shkupi, opsion i vetëm mbetet pika në Kisella Vodë ku dokumentet personale mund të nxirren pa caktuar termin.
Por, nga dikasteri i policisë thonë se personat e moshuar dhe ata që janë të sëmurë nuk mund të shkojnë në pikën për aplikim për dokumentet personale, mund të paraqiten tek ekipet mobile, por pasi paraprakisht të kenë siguruar vërtetim nga mjeku se kanë probleme shëndetësore.
Marrëveshja e Prespës po ashtu obligon autoritetet e Maqedonisë së Veriut që të ndryshojnë edhe targat e automjeteve duke vendosur kodin e ri të shtetit NMK në vend të MK siç ishte deri më tani.
Por, që të mos iu nënshtrohen shpenzimeve shtesë si për dokumentet personale, të cilat bien në kurriz të qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se në vend të tabelave të reja, në ato ekzistueset do të vendosen ngjitëse me akronimin e ri NMK.
Megjithëse kanë mbetur vetëm edhe dy muaj, përkatësisht deri më 12 shkurt, qytetarët druajnë se edhe për marrjen e ngjitëseve do të krijohen radhë të gjata.
Nga Lidhja e Automjeteve në Maqedoninë e Veriut thonë gjatë këtyre ditëve do të përcaktohet rregullorja për vendosjen e ngjitësve dhe do të merret vendim se sa do të jetë kostoja e tyre, duke theksuar se ajo do të jetë shumë më e vogël sesa rreth 25 euro sa do të kushtonte nëse do t’i ndryshonin targat e automjeteve.
Ndryshe, për t’i ndryshuar të gjitha dokumentet një familje katëranëtarëshe duhet të ndajë rreth 180 euro.
Për të gjithë ata që deri më 12 shkurt nuk do të arrijnë t’i ndryshojnë dokumentet personale me emrin e ri të shtetit, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka thënë për mediat se nuk do të ketë dënime./REL