Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike Shkup për veprën penale “keqpërdorim pozitën dhe autoritetin zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal kundër Bisera Konstandinovska Stojçevska nga Manastiri, si ish-ministre në Ministrinë e Kulturës, transmeton Portalb.mk.
MPB dyshon se Stojçevska në cilësinë e ministres ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për prokurime publike dhe ka shkelur marrëveshjen që paraprakisht ishte lidhur mes Qytetit të Shkupit dhe subjektit që do të kryente punimet në Sallën Universale. Edhe pse ka pasur marrëveshje se të gjitha kompetencat i takojnë Qytetit të Shkupit për kryerjen e punimeve, ndërkohë subjekti nuk ka arritur t’i kryen në kohë, Stojçevksa në kundërshtim me të gjitha procedurat e diktuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike i ka bërë një pjesë të pagesës subjektit që nuk ka arritur t’i kryen punimet në kohë. Shuma e mjeteve të lëshuara ka arritur deri në 27 milion denarë apo rreth 30 përqind e vlerës totale të projektit për rikonstruimin e Sallës Universale.
“Në mënyrë që sipas Vendimit të Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe Konkluzionit të Qeverisë së RMV-së për bartjen e së drejtës për rindërtim, zgjerim dhe ngritje të objektit ekzistues Salla Universale në Shkup, si dhe sipas Marrëveshjes së lidhur për rregullimin e të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella në mes të Qytetit të Shkupit si pronar dhe Ministrisë së Kulturës si investitor i ri, përkundër faktit se ministria ishte përgjegjëse për kryerjen e procedurave të nevojshme për dhënien e të gjitha kontratave të nevojshme për përfundimin e plotë të rindërtimit të objektit, edhe pse në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik ishte e obliguar të zbatonte procedurë e re për prokurimin publik për zgjedhjen e kontraktorit më të favorshëm për punimet për përfundimin e rindërtimit të objekti në emër të Ministrisë së Kulturës si konsumator i supozuar me kontraktues personin juridik nga Shkupi, ka lidhur Marrëveshje për marrjen dhe kalimin e të drejtave dhe detyrimeve nga kontrata për prokurim publik të punëve në vlerë prej 115.173.789 denarë, sipas të cilat ministria pretendon se ka marrë të njëjtat të drejta, obligime dhe vlerë nga marrëveshja e lidhur më parë në mes të Qytetit të Shkupit dhe të njëjtit person juridik, edhe pse e dinte dhe ishte në dijeni se marrëveshja e lidhur më parë për prokurim publik ndërmjet Qytetit të Shkupit si kontraktues dhe personit juridik si bartës për rindërtimin e objektit më 04.09.2023 ishte me afat të skaduar për kryerje të punimeve, për të cilën gjë nga organi kontraktues i Qytetit të Shkupit në Sistemin elektronik për prokurim publik – SEPP me 18.09.2023 është bashkangjitur edhe Njoftimi për kontratë të realizuar dhe lënda është arkivuar në organin kontraktues Qyteti Shkupit si e përfunduar dhe si e tillë kontrata nuk paraqet akt juridikisht të vlefshëm që mund të ndërmerret, në bazë të kontratës së re të së cilës pas dy situatave të përkohshme të dorëzuara nga ana e konstraktuesit për punët e kryera, e njëjta personit juridik i ka paguar shumë prej 27.197.845 denarë, me çka i ka mundësuar personit jurifik nga Shkupi si kryerës i punëve në mënyrë të kundërligjshme të fitojë dobi materiale në shumën e lartëpërmendur”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
VMRO-DPMNE disa herë ka akuzuar ish-ministren për keqpërdorime financiare nëpër udhëtime, fillimisht për në Britani të Madhe, Austri dhe Dubai.
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar ish-ministrja e Kulturës dhe deputetja aktuale e LSDM-së Bisera Kostadinovska Stojçeska, ajo i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se nuk ka bërë keqpërdorime. Ajo madje ka paralajmëruar edhe padi ndaj VMRO-DPMNE-së.
Edhe ministri në detyrë i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov akuzoi paraardhësen e tij, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, për keqpërdorime, jo vetëm në sferën e shpenzimit të parasë publike dhe kartelës zyrtare, por edhe për operim të kundërligjshëm dhe në sferën e investimeve kapitale.





