Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski thotë se partitë opozitare LSDM dhe BDI, derisa ishin në pushtet, i kanë keqpërdorur ndërmarrjet energjetike për keqpërdorime financiare, përcjell TV21. Sipas tij, miliona euro janë transferuar në llogaritë e kompanive të afërta me qeverinë, përmes marrëveshjeve të dyshimta.
“LSDM dhe BDI përmes MEPSO-s janë marrë vesh për blerjen e pajisjes për korrigjimin e profilit të tensionit për trafostacionin e Dubrovës, me vlerë afër 10 milionë euro. Kjo kontratë është për 3 milionë euro më e shtrenjtë se buxheti i paraparë me Planin për Zhvillimin e Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike të MEPSO-s”, theksoi Petrushevski.
Sipas tij, marrëveshja me kompaninë shqiptare “Shansi Invest” është nënshkruar më 26 qershor të vitit 2024, kur me MEPSO-n drejtonte Zudi Enuzi.
“Shtrohet pyetja, pse është përfshirë “Shansi Invest”, kur prodhuesi i vërtetë i pajisjeve është kompania kroate “Dalekovod SHA Zagreb”. A është kjo kompani shqiptare vetëm një ‘kompani tampon’ për nxjerrjen e fitimit prej miliona euro diferencë?”, pyet Petrushevski, duke theksuar se duhet urgjentisht të hetohet diferenca prej 3 milionë eurosh në çmim.