Më tej, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me pjesën e obligimeve për zbatimin e Marrëveshjes me Kosovën.
“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç u referohen në këtë deklaratë, konsiderohen të pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, thuhet në pozicionin e Serbisë.
“Republika e Serbisë nënvizon se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturin integritet territorial të Kosovës”, thuhet më tej në letrën e Serbisë, ku deklarata konsiderohet si ligjërisht joobliguese, dhe se nuk e ka peshën e marrëveshjes ndërkombëtare, sipas së drejtës ndërkombëtare.
Serbia është shprehur, po ashtu, se “Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrim ndërkombëtar, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Ky qëndrim i Serbisë e vë në dyshim edhe pranimin nga ana e saj të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksit të saj, pasi në to përfshihet edhe moskundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare, dhe respektimi i integritetit territorial të saj.
Në Deklaratën e miratuar të mërkurën mbrëma në Bruksel nga liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë pa parakushte dhe në tërësi këtë marrëveshje.
“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në pjesën që i kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. /REL