Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, do të garojë në finale në Olimpadën e Parisit, në kategorinë deri në 52 kilogramë. Në finale do të përballet me ubzeken, Diyora Keldiyorova.
Me shkuarjen në finale, ajo tashmë ka siguruar të paktën medaljen e argjentë. Kjo do të jetë medalja e parë për Kosovën në Lojërat Olimpike të Parisit, dhe medalja e katërt olimpike në përgjithësi.
Në gjysmëfinale ajo mposhti italianen, Odette Giuffrida. Për dallim nga luftërat e kaluara, që i fitoi me Ippon, Krasniqi e siguroi finalen pasi xhudistja italiane mori tri dënime.
Xhudistja Distria Krasniqi duke u përqafuar me trajnerin e saj, Driton Kuka, pas fitores në gjysmëfinale në Olimpiadën e Parisit.
Ndërkaq, rrethin e parë ajo e kaloi pa luftë. Në të dytin, ajo mposhti me Ippon Maryam March Maharani nga Indonezia. Në çerekfinale ajo mposhti xhudisten nga Izraeli Gefen Primo, po ashtu me Ippon.
Në Olimpiadën e Parisit, Kosova po merr pjesë me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i gëzohet fitores së Distria Krasniqit në gjysmëfinale. Osmani, por edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë përcjellë nga afër të gjitha ndeshjet e xhudistes Krasniqi.
Boksierja Donjeta Krasniqi më 27 korrik shënoi fitoren e parë në kategorinë -60 kilogramë, duke kaluar në rrethin e dytë të garave. Meçin e radhës ajo do ta zhvillojë më 29 korrik ndaj kolumbianes, Angie Valdes.
Deri më tani, Kosova ka fituar tri medalje të arta dhe të gjitha në sportin e xhudos. Majlinda Kelmendi ia siguroi Kosovës medaljen e parë të artë olimpike në Rio 2016. Në Olimpiadën e Tokios, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i siguruan Kosovës edhe dy medalje të arta.
Lojërat Olimpike Verore Parisi 2024 nisën më 26 korrik dhe do të zgjasin deri më 11 gusht. Në këto lojëra marrin pjesë rreth 7.000 sportistë./REL