Dy kamionë në pronësi të shqiptarëve janë djegur në pjesën veriore të Kosovës nga zjarri i të cilëve është dëmtuar edhe një veturë në pronësi të një qytetari serb. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, nuk dha hollësi shtesë por tha se ende nuk ka të dyshuar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar. Incidenti në veri erdhi në kohën kur institucionet e Kosovës kanë ngritur shqetësime për mundëisnë e përshkallëizmeve në veri ndërkohë që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, paralajmëroi se mund të ketë sulme të tjera nga, siç i quajti, grupe terroriste serbe.
“Një temë e pashmangshme në këto rrethana ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimet po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë. Një nga shtet që nuk e ka sanksionuar Rusinë por që vazhdon të ketë bashkëpunim me Rusinë”, tha Konjufca.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nuk përjashtoi ndonjë sulm tjetër nga grupet serbe që dirigjohen nga udhëheqësit në Serbi. Por, Maqedonci tha se institucionet e Kosovës përfshirë edhe ushtrinë janë të gatshme për çdo sulm në veri të vendit.
Incidenti me djegien e makinave në veri pasoi një periduhë të tensioneve në këtë pjesë të vendit, që çoi në përshkallzim të situatës me sulmin e 24 shtatorit, kur nga të shtënat me armë zjarri nga një grup, që u cilësu terrorist, u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Gjendja në veri se bashku me përpjekjet për ndarjen e Bosnjë Hercegovinës, u cilësuan nga ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O’Brien, si rreziqet në Ballkan. Por ai tha se KFOR-i në Kosovë dhe EUFOR-i në Bosnjë janë prezentë për t’i parandaluar, siç i quajti, bandat lokale.
“Jam gjithashtu i inkurajuar që ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet serbe, me autoritetet e Kosovës për t’u përpjekur që t’i adresojë rreziqet e dhunës dhe luftimeve të shtuara në veri të Kosovës. Dhe unë mendoj se, me këtë, ne kemi një shans për procesin politik – është dialogu, Plani i Rritjes, gjërat e tjera për t’i trajtuar shkaqet e dhunës”, tha O’Brien.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë dhënë sinjal se vendi po përballet me kërcënime për sulme nga Serbia. Sipas tyre, faktori ndërkombëtar duhet ta sanksionojë Serbinë./RTV21/21Media