Ka vdekur protopresbiteri i Eparkisë së Lungrës, At Antonio Bellusci, përcjell KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shpehur se At Antonio Bellusci qe figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar.
Me hidhërim të thellë mora lajmin që miku ynë i kahmotshëm, Protopresbiteri i Eparkisë së Lungrës, At Antonio Bellusci, ose zoti Ndoni siç e thërrisnin sivëllezërit e tij arbëreshë, shkoi në amshim.
Antonio Bellusci qe figura kyçe në komunitetin arbëresh në Itali, dhe një nga personalitetet më përbashkues mbarëshqiptar.
Antonio Belusci jetoi e punoi për çështjen arbëreshe, për çështjen shqiptare.
Nismat e tij nuk u ndalën deri në orët e fundit.
Në 1966 themeloi Revistën “Vatra jonë” në “San Costantino Albanese”, në 1980 Revistën “Lidhja në Cosenza”, si dhe botoi edhe dhjetëra vëllime e artikuj.
Për kontributin e tij të gjithanshëm u nderua nga Republika jonë, ku Presidentja znj. Vjosa Osmani-Sadriu i dha ‘Shtetësinë e nderit të Republikës së Kosovës’.
Në ndarje të këtilla nuk ka tjetër veç se mungesë të parikuperueshme.
Ai, u kujdes të na lë pas një thesar të paçmueshëm. Shtëpia e tij në Frasnitë, biblioteka “A. Bellusci”, është sot pasuria e shumëfishtë, ku përveç mijëra vëllimeve mbi albanologjinë, ai themeloi aty edhe një vatër studimesh unike.
Mendimet tona shkojnë sot për familjen e tij, miqtë dhe të gjithë komunitetin arbëresh.
U bëftë emri, puna dhe vullneti i tij, burim frymëzimi për studiuesit e rinj e për secilin prej nesh!/KultPlus.com