9.8 C
Skopje
Thursday, September 18, 2025

Kryeministri sllovak, Robert Fico ndodhet jashtë rrezikut për jetën

Kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili u plagos me armë zjarri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i tentimit për atentat gjendet në paraburgim. Ministri i Mbrojtjes së Sllovakisë, Robert Kalinak, e përshkroi ngjarjen si më të rëndën në historinë e Sllovakisë, duke thënë se ky është sulm ndaj demokracisë. Ministri i Brendshëm i Sllovakisë, Matus Sutaj Estok, tha se vendi është në prag të luftës civile, ndërsa presidentja bëri thirrje që mos të rritet niveli i urrejtjes.

“Para së gjithash, dua të siguroj publikun se do të bëjmë gjithçka që mundemi për të hetuar këtë akt. Informacioni fillestar që kemi sugjeron se kishte një motivim të qartë politik dhe se vendimi u mor menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale. Në ditët e ardhshme, mbrojtja e të gjithë zyrtarëve kushtetues do të forcohet. Ne po qëndrojmë ngadalë në buzë të një lufte civile këtu. Për shkak se komente nxitëse po bëhen në rrjetet sociale, prandaj le ta ndalojmë këtë menjëherë”, tha Matej Sutaj Estok, ministër i Brendshëm sllovak.

” Një sulm fizik ndaj kryeministrit është, para së gjithash, një sulm ndaj një personi, por është edhe një sulm ndaj demokracisë. Si shoqëri, jetojmë në një kohë konfliktesh të shumta, por ju lutem mos i shtyni në nivelin e urrejtjes. Le të dalim nga rrethi vicioz i urrejtjes dhe akuzave reciproke”, deklaroi Suzana Caputova, presidente e Sllovakisë.

Sulmi ndaj kryeministrit populist dhe pro-rus ka ngjallur reagime në nivel ndërkombëtar. Presidenti Xho Bajden shprehu shqetësim dhe alarm për situatën. Presidenti rus Vladimir Putin sulmin e cilësoi si krim monstruoz. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se sulmi përbën një akt të papranueshëm dhune. Presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen tha se akte të tilla dhune minojnë demokracinë. Kancelari gjerman Scholz theksoi se dhuna nuk duhet të ekzistojë në politikën evropiane.

Autori i sulmit, shkrimtari i njohur në Sllovaki, Juraj Cintula ka deklaruar se ishte kundër politikave të ndërmarra nga kryeministri. Dyshohet se sulmuesi 71-vjeçar, sipas postimeve të tij, në Facebook, është mbështetës i grupit paraushtarak pro-rus Slovenskí Branci, i njohur për lidhjet me Kremlinin. Duhet të theksohet se “Slovenskí Branci” janë akuzuar për përpjekje për të rekrutuar të rinj në të gjithë Sllovakinë për aksion paraushtarak. Në botën evropiane, kryeministri sllovak Robert Fico u bë më i njohur për qëndrimet e tij në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës, pasi ai argumentoi se ndihma për Ukrainën duhet të ndërpritet, megjithëse ai mohon se është në favor të Rusisë, megjithëse për një pjesë të shoqërisë sllovake ai anon drejt politikës së hungarezit Viktor Orbán. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit