Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Mal të Zi, pasi që do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.
“Sonte ai do të marrë pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ndërkaq nesër do të jetë folës në panelin e diskutimit ‘Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes’”, njofton ZKM.
Ky samit gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, po mbahet në Kotor të Malit të Zi nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”.
Samiti në fjalë që do të mbahet më 15 dhe 16 maj, përveç Kurtit do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Ndërsa, nga rajoni pritet që prezent të jetë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi
Sa i përket ndërkombëtareve, pjesëmarrës do të ketë Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien dhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheley.





