26.8 C
Skopje
Monday, September 15, 2025

Kurti: Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa përkujtoi masakrën e Serbisë të kryer në Korishë të Prizrenit dhe fshatrat përreth, më 13 maj 1999, ku ishin vrarë 77 civilë, prej tyre 14 fëmijë, deklaroi se vrasjet e Serbisë pa dallim moshe dhe gjinie në Kosovë janë dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë.

“Më 13 maj të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakër mbi popullsinë civile të pafajshme në Korishë. Aty u vranë 77 civilë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë. Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, janë dëshmi e pafajësisë së tyre dhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, shkroi ai në “Facebook” të dielen.

“Në Ditën e Martirëve të Korishës, kujtojmë civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999. Përkujtojmë viktimat civile që ishin futur në kurthin e vdekjes prej forcave serbe”, shtoi mes tjerash kreu i ekzekutivit kosovar.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e mijëra viktimave. Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë vlerësohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 persona.

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit