Një vit pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, familja e tij organizon këtë të diel, më 29 nëntor, një mbrëmje përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës artistike të tij.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, familja Kasapi ka ftuar të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar artistin t’i bashkohen kësaj mbrëmjeje.
Me një karrierë të pasur muzikore, Kasapi la pas një repertor këngësh që shoqëruan breza të tërë.
Në kuadër të njëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta, edhe në studion e emisionit “E diell” në Top Channel, miqtë dhe bashkëpunëtorët e këngëtarit ndanë kujtime nga takimet e fundit me të, ndërsa prezantuan edhe këngën e tij të papublikuar, “Kur u ndamë”.
Ata zbuluan se artisti kishte lënë pas edhe një tjetër këngë, të titulluar “Lamtumirë”, për publikimin e së cilës do të kontaktojnë me familjarët e tij.








