Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, njoftoi se nesër do t’i ftojë në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Kulturës të Republikës së Maqedonisë (SKRM) dhe të SASHK-ut. Takimi vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi në tërësi Marrëveshjen Kolektive për Kulturën dhe nenin 78-l të Ligjit për Kulturën.
Sipas Sulejmanit, synimi është që dialogu social të intensifikohet në periudhën e ardhshme, në mënyrë që bashkërisht të gjenden zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme për rregullimin e statusit dhe të drejtave të punonjësve të kulturës dhe të artistëve.
“Vlerësoj se puna, angazhimi profesional dhe kontributi i të punësuarve në kulturë duhet të marrin vlerësimin e duhur. Në procesin që vijon, duhet të gjejmë zgjidhje që i mbrojnë siç duhet të drejtat dhe interesat e tyre”, deklaroi Sulejmani.
Ai shtoi se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për të përcaktuar modelin më të përshtatshëm, si dhe për të lidhur një marrëveshje të re kolektive për kulturën brenda afatit që ka caktuar Gjykata Kushtetuese.
Sulejmani tha se është i angazhuar që, përmes dialogut të hapur, partneritetit dhe bashkëpunimit konstruktiv, të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët. Sipas tij, kjo zgjidhje duhet të garantojë siguri juridike, të mbrojë të drejtat dhe të sigurojë vlerësimin e duhur të punës së të gjithë punonjësve të kulturës dhe artistëve.








