Mexhiti për “One Stop Shop-in” me Shqipërinë: Funksionon mirë, si asnjëherë më parë kjo Qeveri është e përqendruar në Korridorin 8

Advertisement

Izet Mexhiti, ka deklaruar se Qeveria po i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të Korridorit 8, përmes investimeve në infrastrukturë rrugore, hekurudhore dhe lehtësimit të qarkullimit kufitar.

Mexhiti bëri të ditur se po punohet për realizimin e projektit “One Stop Shop” edhe në pikën kufitare Stançiq-Bellanoc, ndërsa ky sistem tashmë është funksionalizuar në Tabanoc dhe Qafë Thanë.

Ai theksoi se po bëhen përpjekje që sa më shpejt ky projekt të realizohet edhe në pikën kufitare Bllatë, në drejtim të Dibrës.

Sipas Mexhitit, rëndësia e këtyre pikave kufitare lidhet edhe me interesin e Shkupit për qarkullim më të lehtë me Luginën e Preshevës, si dhe me lëvizjen e diasporës.

Duke folur për investimet infrastrukturore, Mexhiti tha se afro dy miliardë euro janë paraparë për Korridorin 8, ndërsa mbi 200 milionë euro po investohen në rrugën Shkup-Bllacë.

Ai përmendi gjithashtu përpjekjet për hapjen e procedurave të tenderimit dhe projektimit për rrugën dhe tunelin Tetovë-Prizren, si dhe punimet për projektin e hekurudhës Shkup-Prishtinë.

Mexhiti vlerësoi se Qeveria aktuale, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, po e orienton fokusin kryesor te Korridori 8 dhe jo te Korridori 10.

Sipas tij, Korridori 8 ka rëndësi strategjike për shkak të rolit të tij si korridor i NATO-s, por edhe për faktin se kalon nëpër vendbanime shqiptare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit