Çfarë po ndodh me fabrikën e municionit në Kosovë?

Advertisement

Fabrika e municionit në Gjakovë pritet ta përfundojë pjesën prodhuese deri në fund të dhjetorit të këtij viti, kur edhe parashihet të realizohet prodhimi i parë testues. Ndërsa laboratorët, depot dhe objektet e tjera përcjellëse të kompleksit industrial pritet të përfundojnë gjatë vitit 2027. Këto afate i bëri të ditura kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë të Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, lidhur me ecurinë e projektit, financimin dhe detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja me kompaninë shtetërore turke të industrisë së mbrojtjes, MKE.

Sipas Kurtit, kontrata me kompaninë turke është paguar plotësisht dhe Kosova nuk ka detyrime të papaguara financiare ndaj saj. Megjithatë, vlera e kontratës dhe shuma e pagesës nuk janë bërë publike, me arsyetimin se marrëveshja është e klasifikuar. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe MKE-së ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2025, me synimin për themelimin e një fabrike që do të prodhojë municione të kalibrave të ndryshëm sipas standardeve të NATO-s.

Në atë kohë, mediat turke, duke iu referuar burimeve brenda kompanisë MKE, raportuan se fabrika në Kosovë do të kishte kapacitet prodhues prej rreth 20 milionë fishekësh në vit. Projekti parasheh që kompania turke të furnizojë fabrikën me makineri, linja prodhimi, pajisje laboratorike dhe të ofrojë trajnime për punëtorët kosovarë. Ajo është gjithashtu përgjegjëse për ndërtimin e objekteve ku do të zhvillohet prodhimi.

Kurti bëri të ditur se Ministria e Mbrojtjes tashmë ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrikë, ndërsa para fillimit të prodhimit testues, punëtorët do të trajnohen në Turqi. Ai sqaroi edhe ndarjen e një milion eurove në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”. Sipas tij, këto mjete nuk janë të dedikuara për ndërtimin e fabrikës së municionit, por për rrethojën e sigurisë së zonës së përgjithshme industriale, e cila shtrihet në 144 hektarë.

Ndërkaq, kompleksi i fabrikës së municionit do ta ketë rrethojën e veçantë, ndërtimi i së cilës është përgjegjësi e kompanisë MKE. Qeveria e Kosovës e ka cilësuar këtë projekt si strategjik për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë, pasi prodhimi vendor i municionit synon të zvogëlojë varësinë e vendit nga furnizuesit e huaj.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit