Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka marrë pjesë në pritjen solemne me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Përmes një postimi në Facebook, Qyra ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë manifestim, duke vënë theksin te bashkimi i shqiptarëve nga të gjitha trevat dhe rëndësia historike e 28 Nëntorit.
“Në këtë atmosferë të ngrohtë vëllazërore, mes miqsh, vëllezërish dhe bashkëkombësish nga të gjitha trevat, festuam së bashku rrugëtimin 114-vjeçar të shtetit shqiptar, një histori sakrificash, qëndrese dhe arritjesh që na bën krenarë kudo që jetojmë”, ka shkruar Qyra.
Kryetari i Strugës ka përcjellë gjithashtu urimet e tij për të gjithë shqiptarët me rastin e Ditës së Pavarësisë.
“Gëzuar 114-vjetorin e Pavarësisë! Qoftë i përjetshëm flamuri dhe kombi ynë!”, ka përfunduar Qyra.









