Dje, gjatë protestës, sindikalistët nga sektori i kulturës varrosën simbolikisht ligjin dhe drejtësinë ngaqë Gjykata Kushtetuese shfuqizoi Marrëveshjen Kolektive me efekt të shtyrë deri në prill 2027. Sot, Sindikata e Kulturës ka njoftuar për lëvizje të reja. Ajo thotë se do të kërkojë drejtësi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg si dhe do të ndërmerrn edhe hapa të tjerë.
“Përveç faktit që do t’i ndjekim çështjet ligjërisht, anëtarësia aktualisht është e revoltuar dhe po bashkohet, kështu që ndoshta mund të aktivizojmë grevën në sektorin e kulturës, të cilën e kemi pezulluar në periudhën e kaluar sepse kanë filluar negociatat me Ministrinë e Kulturës. Dhe protestat do të vazhdojnë” – Vera Atanasovska – udhëheqëse e Sindikatës së Kulturës.
Shfuqizimi i Marrëveshjes Kolektive për Kulturën jo vetëm që ka shkaktuar një revoltë sindikale, por ka ndezur edhe një betejë politike.
Opozita po reagon ashpër se më shumë se dy mijë punonjës në sektorin e kulturës do ta paguajnë çmimin. E majta beson se Gjykata Kushtetuese ka vendosur një precedent që i hap rrugën heqjes “kreative” të të drejtave të fituara të punës. LSDM, nga ana tjetër, e vlerëson vendimin si politik dhe akuzon se Gjykata Kushtetuese veproi nën diktat.
“Nuk ka drejtësi, ka një gjyqësor të kontrolluar që merr vendime nën diktatin e qeverisë. Vendimi politik i Gjykatës Kushtetuese hap derën për shfuqizimin e marrëveshjeve të tjera kolektive. Vendimi për një lloj veprimi të vonuar është vetëm një maskë. Në realitet, nuk ka para në Buxhetin e vitit 2027 për të ndjekur detyrimet e Marrëveshjes Kolektive. Natyrisht, qeveria e dinte vendimin e Gjykatës Kushtetuese paraprakisht, kështu që nuk siguroi para” – tha Natasha Popoviç – Anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.
“Dyshja LSDM – Levica duhet të ndalojë manipulimin. Vendimin për shfuqizimin e Marrëveshjes Kolektive në Kulturë e merr Gjykata Kushtetuese, jo Qeveria. Përgjigjet e pyetjeve se pse u miratua një marrëveshje kolektive jokushtetuese duhet të kërkohen nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe qeveria e LSDM dhe BDI.”, thane nga VMRO
Gjykata Kushtetuese e bazon vendimin e saj në faktin se Ligji për Kulturën nuk ka një metodologji të përcaktuar për llogaritjen e pagave, e cila, sipas Gjykatës, duhet të rregullohet me ligj, dhe më pas të përpunohet me një Kontratë Kolektive. Ka kohë deri në prill të vitit të ardhshëm për një marrëveshje të re, por është e pasigurt nëse do të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. (TvTelma)








