Në një atmosferë festive, mes flamujve kuqezi, këngëve shqipe dhe krenarisë kombëtare, sot në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup u mbajt manifestimi qendror “20 Vjet Krenari”, i organizuar nga Komuna e Çairit me rastin e Ditës së Flamurit dhe 20-vjetorit të vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Programit festiv i dhanë emocion të veçantë koncerti i këngëtares së njohur shqiptare Edona Llalloshi, si dhe interpretimet artistike të Çun Lajçit dhe Pajazit Murtishit, duke i dhënë këtij jubileu një dimension të veçantë artistik dhe kulturor.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, duke rikujtuar rëndësinë historike të vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Shkup, theksoi se ky përvjetor është një moment krenarie për arritjet e deritanishme dhe një motivim për të ardhmen.
“Njëzet vjet më parë, e festuam 28 Nëntorin duke i dhënë Shkupit Skënderbeun. Sot, e festojmë me krenarinë e asaj që kemi arritur dhe me vendosmërinë për atë që ende kemi për të arritur”, u shpreh kryetari Mexhiti, duke uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit.
Me manifestimin e sotëm, Komuna e Çairit përmbylli programin gjashtëditor “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”, i cili përmes një sërë aktivitetesh arsimore, artistike dhe kulturore shënoi festat e Nëntorit dhe dy dekada nga vendosja e shtatores së Skënderbeut në Shkup, njofton Zyra për Informim të Mediave e Komunës së Çairit.








