Komisioni i Venecias, në ditën e fundit të vizitës takon deputetët

Advertisement

Raportuesit e Komisionit të Venecias kanë takuar deputetët e pushtetit dhe opozitës në Kuvend, për të diskutuar rreth propozim-ligjit që mundëson dhënien e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në ditën e dytë të vizitës së tyre në Shkup, delegacioni zhvilloi takime të ndara me koordinatorët e grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe Lëvizjes “E di”, si dhe me ata të LSDM-së, BDI-së dhe së Majtës.

Raportuesit u takuan edhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Konsultimet gjatë pasdites do të vazhdojnë me institucionet përgjegjëse për zbatimin dhe mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës, si dhe Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, përfaqësues të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Odës së Avokatëve dhe Misionit të OSBE-së në Shkup.

Një ditë më parë, raportuesit e Komisionit të Venecias dëgjuan edhe qëndrimet e studentëve dhe përfaqësuesve të fakulteteve juridike në vend, me të cilët patën takim në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, si dhe ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari. Vizita dyditore zhvillohet në kuadër të përgatitjes së opinionit urgjent të Komisionit të Venecias, të kërkuar nga Qeveria për propozim-ligjin që parasheh për herë të parë mundësinë e dhënies së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe për mijëra studentë që ndjekin studimet juridike në gjuhën shqipe.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit