Importi i veturave mund të bëhet më i lirë, propozohet heqja e dy taksave

Advertisement

Importi i veturave në Maqedoninë e Veriut mund të bëhet dukshëm më i lirë nëse Kuvendi i miraton ndryshimet e propozuara në Ligjin për Tatimin mbi Automjetet Motorike. Deputeti i pavarur Mile Cekov ka dorëzuar një propozim-ligj që parasheh uljen e taksave për importin e automjeteve, përmes heqjes së dy komponentëve ekzistues.

Me ndryshimet e propozuara kërkohet heqja e komponentit të vlerës, i njohur si tatimi për luks, për veturat me vlerë deri në 20.000 euro. Masa e dytë parasheh heqjen e taksës për emetimin e CO₂ për automjetet që plotësojnë standardin ekologjik EURO 6 ose më të lartë, njofton TS.

Sipas arsyetimit të propozimit, nëse ndryshimet miratohen, për një veturë me vlerë prej 15.000 eurosh dhe standard EURO 6, taksat e importit do të uleshin nga 6.000–7.000 euro sa janë aktualisht, në rreth 2.700 euro.

Propozimi përfshin si veturat e reja, ashtu edhe ato të përdorura që importohen në vend.

Si argument për këto ndryshime, propozuesi thekson se taksat e importit në Maqedoni janë më të larta krahasuar me disa vende të rajonit. Për një veturë me vlerë prej 15.000 eurosh, sipas të dhënave të paraqitura në propozim, taksat në Shqipëri arrijnë rreth 3.000 euro, në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi rreth 3.500 euro, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë rreth 2.550 euro.

Në propozim përmenden edhe problemet gjatë procedurave doganore. Sipas Cekovit, ndodh që një veturë e blerë për 15.000 euro të vlerësohet nga dogana në 19.000 euro, ndërsa në raste të caktuara të mos pranohet as certifikata EUR.1.

Kjo, sipas tij, krijon shpenzime shtesë për qytetarët përmes doganës, tatimit për luksin, taksës për CO₂ dhe TVSH-së.

Qëllimi i ndryshimeve të propozuara është ulja e barrës financiare për qytetarët, mundësimi i blerjes së veturave më të reja dhe rinovimi i parkut të automjeteve në vend.

Propozim-ligji tani duhet të kalojë në procedurë parlamentare, ndërsa vetëm pas shqyrtimit dhe votimit në Kuvend do të dihet nëse këto masa do të miratohen dhe në çfarë forme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit