Në organizim të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, sot në Muzeun e Luftës Maqedonase u mbajt debati përfundimtar publik për Projekt-strategjinë nacionale për Turizëm 2027–2032, në të cilin u shkëmbyen mendime, propozime dhe rekomandime për avancimin e orientimeve të ardhshme për zhvillimin e sektorit të turizmit në vend.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, theksoi se ambicia e Strategjisë është shumë më e madhe sesa rritja e numrit të turistëve – ajo duhet të krijojë vlerë më të madhe për vizitorët, bizneset dhe komunitetet lokale, nëpërmjet një oferte turistike cilësore, të qëndrueshme dhe konkurruese.
“Qëllimi ynë është të zhvillojmë destinacion turistik konkurrues në nivel ndërkombëtar, i cili do të mundësojë qëndrim më të gjatë të turistëve gjatë gjithë vitit. Nëpërmjet pasurimit të ofertës turistike, avancimit të cilësisë së shërbimeve dhe promovimit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, synojmë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, zhvillimin e baraspeshuar të rajoneve dhe përfitime më të mëdha ekonomike për komunitetet lokale”, tha Sulejmani.
Ai theksoi se trashëgimia e pasur natyrore dhe kulturore, gastronomia e larmishme dhe mikpritja e njerëzve janë përparësi të rëndësishme turistike, të cilat krijojnë mundësi për zhvillim, por njëkohësisht imponojnë edhe detyrimin për mbrojtjen dhe promovimin e tyre me përgjegjësi.
Ministri nënvizoi se realizimi i suksesshëm i Strategjisë do të varet nga përkushtimi dhe koordinimi i përbashkët i të gjithë faktorëve, pasi zhvillimi i turizmit nuk është përgjegjësi vetëm e një ministrie, por kërkon partneritet ndërmjet institucioneve, vetëqeverisjes lokale dhe sektorit privat.
Strategjia është harmonizuar me Strategjinë Nacionale të Zhvillimit 2024–2044 dhe me Agjendën Europiane për Turizëm 2030.
Sulejmani shprehu mirënjohje ndaj Grupit të punës dhe ekipit të ekspertëve nga universitetet për hartimin e analizës gjithëpërfshirëse, ndaj Këshillit për promovimin dhe mbështetjen e turizmit, ndaj komunave dhe qendrave për zhvillimin e rajoneve planore, të cilat ishin nikoqire të punëtorive rajonale, si dhe ndaj punonjësve të sektorit të turizmit, vizitorëve dhe qytetarëve që morën pjesë në anketa. Mirënjohje të veçantë shprehu edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë – Ambasadës së Zvicrës, nëpërmjet programit IME dhe Zyrës së Bankës Botërore, për mbështetjen e tyre profesionale dhe financiare.
Në ngjarje mbajti fjalim edhe ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Kristof Zomer, i cili vërtetoi mbështetjen e Zvicrës për zhvillimin e sektorit të turizmit në vend, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit shumëvjeçar dhe të programeve IME dhe SIPPO – Programit Zviceran për Rritjen e Punësueshmërisë në Treg dhe Programit Zviceran për Promovimin e Eksportit.
Ambasadori theksoi se qëndrueshmëria duhet të jetë baza e zhvillimit të turizmit, ndërsa rritja ekonomike duhet të ecë paralelisht me zhvillimin e cilësisë së ofertës turistike, mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe krijimin e përfitimeve konkrete për komunitetet lokale dhe bizneset.
Ai përshëndeti përfshirjen e gjerë të institucioneve, sektorit privat, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe faktorëve të sektorit të turizmit në përgatitjen e Strategjisë dhe të Planit të Veprimit, duke vënë në dukje se partneriteti i tyre do të jetë i një rëndësie të veçantë edhe në fazën e zbatimit.
Në këtë drejtim, ai paralajmëroi vazhdimin e programit IME, i cili do të ofrojë mbështetje në zbatimin e Strategjisë Nacionale nëpërmjet forcimit të koordinimit në sektor, hartimit të një udhërrëfyesi për një sistem të integruar të e-turizmit dhe zhvillimit të kapaciteteve të Ministrisë për menaxhimin dhe monitorimin e realizimit të saj.
Projekt-strategjinë nacionale e prezantoi prof. dr. Sasho Korunovski nga Fakulteti i Turizmit dhe Hotelerisë në Ohër, pranë Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir. Ai theksoi se debati publik paraqet mundësi për përfshirjen aktive të faktorëve relevantë në finalizimin e dokumentit, nëpërmjet vërejtjeve dhe propozimeve konkrete, me qëllim krijimin e një oferte turistike më cilësore, më të qëndrueshme dhe më konkurruese.
Projekt-versioni i Strategjisë Nacionale për Turizëm 2027–2032, së bashku me Planin e Veprimit dhe planin financiar indikativ për periudhën 2027–2029, është i qasshëm në ENER:
https://ener.gov.mk/Default.aspx?item=newdocumentdetails&detalisId=14








