Mickoski: Na pyesin si arrijmë ta mbajmë naftën dizel 30 deri në 50 centë më lirë se në vendet e zhvilluara

Advertisement

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, duke iu përgjigjur kritikave të deputetit të LSDM-së, Venko Filipçe për gjendjen ekonomike në vend, tha se rezultatet ekonomike të Qeverisë janë pozitive.

Mickoski theksoi se gjatë vizitave jashtë vendit, përfshirë edhe atë të djeshmen në Bruksel, përfaqësuesit e vendeve të tjera i pyesin se si arrijnë të mbajnë çmimin e naftës dizel nga 30 deri në 50 centë për litër më të lirë se në vendet e tyre.

„Kudo që shkojmë, na pyesin si arrijmë të kemi naftë dizel 30 deri në 50 centë më lirë për litër dhe si arrijmë ta mbajmë këtë çmim për muaj të tërë. Këtë e pyesin edhe vende shumë më të zhvilluara se ne“, deklaroi Mickoski.

Ai tha se ekonomia e vendit ka shënuar rritje reale prej 3.8 për qind në vitin 2024 dhe po aq në vitin 2025, ndërsa mesatarja për gjysmën e parë të vitit 2026 është 3.7 për qind. Sipas tij, në tremujorin e dytë të këtij viti rritja reale arriti në 4.3 për qind.

Sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), Mickoski tha se objektivi i Qeverisë për të arritur vlerën prej 20 miliardë dollarësh deri në fund të mandatit është realizuar që në vitin 2025.

Ai paralajmëroi se gjatë vitit 2026 PBB-ja nominale pritet të kalojë 21 miliardë dollarë, duke arritur afërsisht 21.2 deri në 21.3 miliardë dollarë.

Në fund, Mickoski theksoi se këto shifra, sipas tij, dëshmojnë për rezultatet e politikave ekonomike të Qeverisë, duke iu kundërpërgjigjur kritikave të opozitës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit