Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se Qeveria pret mendimin e Komisionit të Venecias për propozim-zgjidhjen ligjore lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës.
Gjatë seancës parlamentare për pyetje të deputetëve, duke iu përgjigjur deputetit Skender Rexhepi, Mickoski tha se materiali në formë ligji tashmë i është dorëzuar Komisionit të Venecias dhe se vendimi për hapat e mëtejshëm do të merret pasi të vijë mendimi i tij.
Ai theksoi se në rast se mendimi i Komisionit është negativ, do të duhet të shqyrtohet nëse propozimi do të procedohet në Kuvend. Ndërsa nëse është pozitiv, sipas tij, të gjithë duhet ta respektojnë atë.
Mickoski gjithashtu shprehu keqardhje që, siç tha, për më shumë se 20 vjet, ministrat dhe qeveritë e mëparshme, pavarësisht përkatësisë politike dhe etnike, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.
Ai shtoi se edhe pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, çështja nuk është zgjidhur dhe se Qeveria dëshiron të presë fillimisht qëndrimin e Komisionit të Venecias para se propozimi të shkojë para deputetëve.








