Aleksandar Çupić nesër në Ohër, pjesëmarrës në samitin e Procesit Brdo-Brioni

Advertisement

Nëse nuk ndryshon diçka, kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupić, nesër në Ohër pritet të bëjë prezantimin e pushtetit të ri. Kjo pritet të ndodhë në takimin e liderëve të Procesit Brdo-Brioni. Mikpritëse e takimit do të jetë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.

Çupić ishte ftuar nga Antonio Costa, presidenti i Këshillit Evropian, për të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor, që u mbajt të mërkurën në Bruksel, por nuk mori pjesë, pasi ishte i detyruar të përfundonte seancën konstituive të Kuvendit.

Ky takim, në fakt, është zëvendësim për samitin e anuluar të Procesit Brdo-Brioni, i cili duhej të mbahej në maj të vitit 2026 në Kroaci. Takimi u anulua më 30 mars 2026 nga presidenti kroat Zoran Milanović, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara dhe tensioneve politike mes Kroacisë dhe Serbisë, pas deklaratave të presidentit të atëhershëm serb, Aleksandar Vučić.

Pas konsultimeve mes bashkëorganizatorëve – presidentes sllovene Nataša Pirc Musar dhe presidentit kroat Zoran Milanović – u propozua që takimi të zhvendosej në Maqedoni. Siljanovska e pranoi hapur këtë propozim.

Në takim, përveç bashkëorganizatorëve, Milanovićit dhe Pirc Musarit, si dhe Çupićit, do të marrin pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj; kryesuesja dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Željka Cvijanović, Denis Bećirović dhe Darijana Filipović; presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula; ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupić; si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović.

Procesi Brdo-Brioni është një iniciativë rajonale e themeluar në vitin 2013, me qëllim të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe stabilizimit të situatës përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit