Kryeministri Hristijan Mickoski pret që paketa e fondeve për Agjendën e Reformave të rritet me 10% krahasuar me shumën aktuale prej 750 milionë eurosh. Këtë e bëri të ditur në një postim në Facebook pas takimit të punës me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Sipas Mickoskit, në takim është diskutuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Planin e Rritjes dhe zbatimin e Agjendës së Reformave. Bisedimet janë përqendruar edhe te reformat e realizuara deri më tani, përfitimet e tyre dhe mundësia e rritjes së paketës financiare. Kryeministri theksoi se Maqedonia do të vazhdojë realizimin e projekteve të parapara në Agjendën e Reformave dhe shprehu pritjen që vendi të jetë sërish ndër më të suksesshmit në zbatimin e saj./Alsat.mk.








