Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Për investime kapitale janë paraparë 40,8 miliardë denarë, përkatësisht rreth 663 milionë euro, me çka krijohet bazë financiare për realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe për përmirësimin e kushteve për jetesë dhe punë të qytetarëve“, thonë nga VMRO-DPMNE.
„Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të planifikuara janë orientuar drejt ndërtimit dhe modernizimit të infrastrukturës rrugore. Përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore janë planifikuar investime shtesë prej 18 miliardë denarësh, nga të cilat mbi 12 miliardë denarë janë dedikuar për ndërtimin e segmenteve të autostradave Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan dhe Prilep – Manastir, në kuadër të korridoreve strategjike 8 dhe 10d.
Paralelisht, do të vazhdojë edhe realizimi i segmenteve të autostradave Kërçovë – Ohër, Kërçovë – Bukojçan dhe Shkup – Bllacë, të cilat kanë rëndësi të veçantë për përmirësimin e lidhjes rajonale, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe lehtësimin e transportit të mallrave dhe shërbimeve.
Një prioritet shtesë në Buxhetin për vitin 2027 është zhvillimi i infrastrukturës hekurudhore, për të cilën janë paraparë 6,2 miliardë denarë, që paraqet rritje prej gati 54% në krahasim me vitin paraprak. Me këtë do të vazhdojë ndërtimi i segmentit hekurudhor Beljakovcë – Kriva Pallankë, ndërsa janë planifikuar edhe aktivitete për segmentin Kriva Pallankë – kufiri me Bullgarinë.
Përveç infrastrukturës së transportit, mjete të konsiderueshme do të orientohen edhe drejt përmirësimit të infrastrukturës komunale dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor, ku vazhdojnë aktivitetet për realizimin e stacioneve të pastrimit të ujërave të zeza në Shkup, Tetovë dhe Manastir, ndërsa janë planifikuar edhe projekte në Veles, Shtip dhe Vinicë.
Mbështetja e zhvillimit ekonomik mbetet një nga prioritetet kryesore, ku për programin qeveritar „Zhvillimi ekonomik“ në vitin 2027 janë paraparë 9,7 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 30,5% në krahasim me vitin 2026. Këto mjete do të orientohen drejt nxitjes së aktivitetit investues, tërheqjes së investitorëve të rinj dhe krijimit të kushteve më të mira për rritjen dhe zhvillimin e kompanive vendore. përcjell Zhurnal.mk .








