Sot, më 25 nëntor, shënohet Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, datë kjo që shënon edhe fillimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila zgjat deri më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Fushata e Kombeve të Bashkuara për vitin 2026 ka në fokus sigurimin e drejtësisë, mbrojtjen e të mbijetuarave dhe dhënien fund pandëshkueshmërisë së autorëve të dhunës.
Sipas vlerësimeve globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 840 milionë gra në botë, apo pothuajse një në tri gra, kanë përjetuar të paktën një herë gjatë jetës dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim ose dhunë seksuale nga persona të tjerë.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk kufizohet vetëm në atë fizike. Ajo shfaqet edhe në forma psikologjike, seksuale, ekonomike dhe digjitale, shpesh e fshehur pas dyerve të mbyllura, frikës dhe heshtjes së viktimave.
Vëmendje e veçantë kërkohet edhe për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara dhe sëmundje të rralla, të cilat përballen me rreziqe shtesë, diskriminim dhe vështirësi në qasjen ndaj mbrojtjes dhe ndihmës institucionale.
Mesazhi i kësaj dite është i qartë: asnjë grua nuk duhet të jetojë në frikë dhe asnjë viktimë nuk duhet të mbetet pa mbështetje, mbrojtje dhe drejtësi.
Fushata “16 Ditët e Aktivizmit” synon të rrisë ndërgjegjësimin shoqëror, të inkurajojë raportimin e dhunës dhe të nxisë përgjegjësinë institucionale dhe qytetare në luftën kundër çdo forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave./Ora24








