11 të vdekur nga përplasja e autobusit me kamionin në Emiratet e Bashkuara Arabe

Advertisement

Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku, ku janë përplasur një autobus dhe një kamion në emiratin Ras Al Khaimah, në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë shërbimet emergjente, përfshirë ekipet e shpëtimit dhe ato mjekësore, mbrojtjen civile dhe policinë.

Ministria e Punëve të Brendshme e EBA-së njoftoi në platformën X se shërbimet kompetente kanë siguruar vendin e aksidentit dhe kanë rregulluar trafikun. Është nisur hetim për shkaqet e përplasjes, ndërsa më shumë detaje priten pas përfundimit të tij.

Ministria u bëri thirrje qytetarëve që të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara dhe thashetheme për aksidentin, por të mbështeten vetëm në burimet zyrtare.

Ky është aksidenti i dytë me numër të madh viktimash në EBA gjatë këtij muaji. Në një përplasje zinxhir më 12 nëntor, ku u përfshinë 18 automjete dhe pesë kamionë në rrugën “Sheikh Khalifa bin Zayed”, në emiratin Fujairah, humbën jetën 14 persona, ndërsa 30 të tjerë u plagosën.

Hetimet konstatuan se bëhej fjalë për dy aksidente të ndara. Në përplasjen e parë, një automjet goditi një kamion të parkuar, ndërsa në të dytën, një kamion me dy kontejnerë transporti u përplas me një kolonë automjetesh dhe u përmbys.

Mes të plagosurve në atë aksident kishte tetë shtetas të EBA-së, shtatë indianë, gjashtë shtetas të Omanit, tre egjiptianë dhe nga dy shtetas të Jordanisë, Pakistanit dhe Brazilit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit