Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot zhvilloi një vizitë pune në shkollën e mesme “Zdravko Cvetkovski”, ku u prezantuan makineritë e reja për pastrimin e dyshemeve në klasat dhe korridoret e të gjitha shkollave të mesme të Shkupit.
Çdo mëngjes, nxënësit tanë të shkollave të mesme meritojnë të hyjnë në një shkollë të pastër dhe të rregullt. Prandaj kemi siguruar makineri për pastrimin e dyshemeve për shkollat e mesme të qytetit. Me to, punonjësit që kujdesen çdo ditë për higjienën do të mund të pastrojnë më shpejt dhe më mirë si korridoret e gjata, ashtu edhe klasat ku edukohet e ardhmja e Shkupit.
Atyre u detyrohemi mirënjohje për punën e tyre dhe pajisje moderne që do t’ua lehtësojnë punën. Si kryetar i qytetit, përgjegjësia ime është t’u siguroj punonjësve kushte më të mira pune, ndërsa nxënësve t’u hap mundësi të reja. Angazhimi im është që çdo i ri, pavarësisht se në cilën pjesë të Shkupit rritet, në shkollën e tij të ketë si kushtet, ashtu edhe mundësinë për të treguar potencialin e tij – deklaroi Gjorgjievski.
Kryetari Gjorgjievski theksoi se gjatë vitit të fundit në shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit janë rinovuar terrenet sportive, ndërsa klasat janë pajisur me mobilie të reja, kompjuterë, laptopë dhe tabela interaktive.
– Kemi siguruar nga një dollap personal për çdo nxënës, uniforma falas për nxënësit e vitit të parë dhe laptopë për nxënësit më të dalluar të gjeneratës.
Në shkollën “Dimitar Vllahov” kemi hapur një sallon parukerie dhe kozmetike, ku nxënësit e mësojnë profesionin me pajisje profesionale. Organizuam një kamp edukativ falas në Ohër, ndërsa për këtë dimër kemi parashikuar edhe një fundjavë skijimi për nxënësit e shkollave të mesme.
Po vendosim panele fotovoltaike në shkolla, ndërsa vitin e ardhshëm do të ndërtojmë edhe dy shkolla të reja të mesme, një në Draçevë dhe një në Gjorçe Petrov – theksoi Gjorgjievski.








