Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se kanë filluar punimet për vendosjen e shtresave përfundimtare të asfaltit në bulevardin “Boris Trajkovski” në Shkup.
Përmes një publikimi, Gjorgjievski bëri të ditur se vetëm gjatë ditës së sotme janë duke u vendosur rreth 900 tonë asfalt, ndërsa punimet me të njëjtin intensitet do të vazhdojnë edhe nesër.
Paralelisht, sipas tij, po rregullohen trotuaret dhe po vendosen shtylla të reja të ndriçimit publik. Ekipet janë duke punuar pa ndërprerje, me synimin që rikonstruktimi të përfundojë para afatit të paraparë.
Gjorgjievski thekson se nga ky projekt pritet të përfitojnë mbi 100 mijë banorë, veçanërisht ata të Pintisë, Draçevës dhe zonave përreth.
Ai shton se ky bulevard për më shumë se 30 vjet ka qenë premtim para zgjedhjeve, ndërsa tani, sipas tij, po bëhet realitet pas gjashtë muajsh punime.








