Banorët e Haraçinës ditëve të fundit po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa ankesat për ndërprerjen e furnizimit janë shtuar.
Për situatën aktuale ka folur për Ora24.tv kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, i cili ka shpjeguar se problemi kryesor lidhet me defektet e përsëritura në gypin kryesor të ujësjellësit.
Sipas Beqirit, komuna furnizohet me ujë nga dy puse që ndodhen në territorin e Komunës së Ilindenit, pranë Bellovishtit, ndërsa uji përmes gypave transportohet rreth katër kilometra deri te dy rezervuarët e Haraçinës, prej nga shpërndahet në rrjetin e ujësjellësit përcjell ora24.tv
Ai bëri të ditur se defektet në gypin kryesor janë përsëritur katër deri në pesë herë, ndërsa ekipet e ndërmarrjes komunale “Ambienti” janë në terren për sanimin e problemit.
Si zgjidhje për përmirësimin e furnizimit, Beqiri për ora24.tv paralajmëroi hapjen e dy puseve të reja në fshatin Mojancë, ku sipas vlerësimeve të hidroinxhinierëve ka kapacitete të mjaftueshme ujore për nevojat e komunës.
Kryetari theksoi se këto puse synojnë të sigurojnë furnizim më të qëndrueshëm, deri në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.
Në fund, Beqiri u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë ujin me kujdes dhe të shmangin keqpërdorimet, veçanërisht përdorimin e tij për ujitje, duke theksuar se uji duhet të shërbejë para së gjithash për nevojat elementare të banorëve.
Prononcimin e plotë të kryetarit Daut Beqiri mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.








