Numri i rasteve të fëmijëve në rrezik në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje shqetësuese. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3.698 raste, krahasuar me 3.141 në vitin 2024, që paraqet rritje prej rreth 18%.
Të dhënat e publikuara më 16 nëntor 2026 tregojnë se numri më i madh i rasteve është regjistruar në Shkup (2.095), pasuar nga Tetova me 242, Negotina me 202, Manastiri me 200 dhe Prilepi me 167 raste.
Sipas grupmoshave, 1.326 raste përfshijnë fëmijë të moshës 7–13 vjeç, 1.165 të moshës 14–15 vjeç dhe 1.207 adoleshentë të moshës 16–17 vjeç.
Në kategorinë e fëmijëve në rrezik përfshihen rastet kur siguria, zhvillimi dhe mirëqenia e tyre mund të jenë të cenuara, duke kërkuar mbështetje dhe ndërhyrje nga institucionet përkatëse.
Enti Shtetëror i Statistikave sqaron se shifrat u referohen rasteve të evidentuara dhe jo domosdoshmërisht numrit të fëmijëve të ndryshëm.








