Gashi: Kushtetuta duhet të jetë themel i stabilitetit, instrument zhvillimi dhe thesar ku ruhen vlerat themelore të shtetit

Advertisement

Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Tridhjetë e pesë vjet pas miratimit të Kushtetutës, sfida që qëndron para nesh është të kujdesemi dhe ta ruajmë atë që është arritur, por njëkohësisht të synojmë avancimin e saj dhe të sigurojmë që parimet kushtetuese të zbatohen në praktikën e përditshme institucionale. Këtë e theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në hapjen e Konferencës Shkencore me rastin e 35-vjetorit të pavarësimit dhe miratimit të Kushtetutës së parë të Republikës së Maqedonisë.

Sipas tij, sundimi i së drejtës nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por para së gjithash me zbatimin e tyre, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për një shtet me aspirata për integrim në Bashkimin Evropian.

“Si shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e dimë mirë se integrimi nuk është vetëm çështje e marrëdhënieve me institucionet e BE-së, por mbi të gjitha proces i ndërtimit të institucioneve funksionale, forcimit të drejtësisë, mbrojtjes së lirive dhe garantimit të dinjitetit të qytetarëve. Prandaj, Kushtetuta duhet të jetë themel i stabilitetit, instrument zhvillimi dhe thesar ku ruhen vlerat themelore të shtetit”, deklaroi Gashi.

Ai theksoi se ky përvjetor paraqet jo vetëm një moment kujtese, por edhe një mundësi për vetëvlerësim institucional.

“Duke pasur parasysh se jemi shtet që karakterizohet nga forma të ndryshme të diversitetit, duhet vazhdimisht të vlerësojmë raportin ndërmjet realitetit shtetëror dhe shoqëror, nga njëra anë, dhe rregullimit kushtetues-juridik të vendit, nga ana tjetër. Nuk duhet të ndalojmë së pyeturi nëse kjo Kushtetutë dhe këto ligje kanë arritur të ndërtojnë një shtet koheziv, një shoqëri që ka besim te institucionet dhe qytetarë që ndihen të përfaqësuar në mënyrë të barabartë”, tha ai.

Gashi bëri thirrje që 35-vjetori i Kushtetutës të shihet si një zotim i ri për demokraci më të fortë, institucione më të përgjegjshme, besim më të madh në drejtësi dhe bashkëjetesë më stabile.

Ai rikujtoi se 8 Shtatori 1991 dhe 17 Nëntori i po atij viti janë dy data të pandashme në historinë moderne të vendit, pasi në të parën u mbajt referendumi për pavarësi, ndërsa në të dytën u miratua Kushtetuta e Maqedonisë së pavarur.

“Shteti nuk është vetëm trashëgimi që e kemi marrë nga gjeneratat para nesh, por edhe trashëgimi që ne ua lëmë brezave që vijnë pas nesh”, theksoi Gashi.

Në fjalimin e tij ai nënvizoi se Maqedonia në vitin 1991 arriti në mënyrë paqësore të vendosë themelet e shtetësisë së saj, ndërsa në vitin 2001 dhe më vonë në vitin 2018 tregoi gatishmëri për ndryshime kushtetuese në interes të ruajtjes së paqes dhe avancimit të proceseve euroatlantike.

“Ky guxim nuk duhet të mungojë as në të ardhmen. Elita politike dhe intelektuale duhet të ketë kurajën ta trajtojë Kushtetutën si një sistem të hapur që zhvillohet, përshtatet me ndryshimet shoqërore, me perspektivën evropiane dhe me forcimin e kohezionit shoqëror”, deklaroi kryetari i Kuvendit.

Sipas tij, Kuvendi ka një përgjegjësi të veçantë në këtë proces, pasi duhet të jetë hapësirë për dialog, përgjegjësi dhe ndërtim të konsensusit për çështjet strategjike të vendit, e jo vetëm arenë për përplasje mes pushtetit dhe opozitës.

Konferenca po mbahet në organizim të Kuvendit, Institutit të Historisë Nacionale dhe Arkivit Shtetëror, ndërsa në kuadër të saj po zhvillohet edhe simpoziumi ndërkombëtar me temë “Kushtetutshmëria, sovraniteti dhe tradita: 35 vjet shtet i pavarur”. Në aktivitet marrin pjesë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, si dhe personalitete të tjera politike, akademike dhe historike të vendit.

përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit