Mexhiti nga Struga për Ora24.tv: “Ne shkojmë në ‘Shën Naum’ dhe ‘Qafë Thanë’ për ‘One Stop Shopin’, jo për Vuçiqin”

Advertisement

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në një prononcim ekskluziv për Ora24, gjatë vizitës në Strugë, ka folur për dallimet mes politikës së VLEN-it dhe asaj të BDI-së, duke theksuar se orientimi i VLEN-it është drejt integrimeve euroatlantike, ndërsa Open Ballkani tashmë i përket së kaluarës,përcjell Ora24.tv

Mexhiti sqaroi se vizitat në Shën Naum dhe Qafë Thanë kanë për qëllim lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, përmes pikës së përbashkët kufitare sipas modelit “One Stop Shop”, dhe jo takime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, siç ndodhte në të kaluarën.

“Ne shkojmë në Shën Naum për ta bërë një pikë kufitare ‘One Stop Shop’ dhe jo për ta takuar Vuçiqin”, deklaroi Mexhiti për Ora24.

Ai rikujtoi se takimet e mëparshme me eksponentë të lartë të Serbisë kanë qenë pjesë e agjendës së Open Ballkanit, duke theksuar se kjo nismë tashmë i takon së kaluarës.

Duke folur për dallimet politike dhe qëndrimet e Vuçiqit gjatë fushatës së kaluar zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, Mexhiti tha se presidenti serb ishte i interesuar veçanërisht për rezultatin zgjedhor të BDI-së.

“Vuçiqi nuk brengosej për asgjë në Maqedoni, brengosej vetëm për Bashkimin Demokratik për Integrim, pse i humbi zgjedhjet”, u shpreh Mexhiti.

Ai theksoi se VLEN-i ka orientim të qartë drejt integrimeve euroatlantike dhe se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit