Italia në alarm nga kërcënimet për bomba! Meloni mbledh urgjent opozitën, 300 shkolla në shënjestër

Advertisement

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbledhur këtë të enjte në Palazzo Chigi drejtuesit e partive opozitare, pas valës së kërcënimeve për bomba që ka përfshirë qindra shkolla në të gjithë Italinë.

Takimi i jashtëzakonshëm vjen ndërsa autoritetet italiane po hetojnë një seri mesazhesh elektronike kërcënuese, të cilat kanë shkaktuar alarme dhe evakuime në institucione arsimore.

Sipas agjencisë ANSA, Meloni u ka bërë thirrje forcave politike për unitet përballë situatës, duke kërkuar një qëndrim të përbashkët kundër kërcënimeve që synojnë të shkaktojnë frikë dhe pasiguri.

Në mbledhje marrin pjesë dy zëvendëskryeministrat Antonio Tajani dhe Matteo Salvini, si dhe drejtuesit e opozitës, mes tyre Elly Schlein, Giuseppe Conte, Matteo Renzi, Carlo Calenda, Angelo Bonelli, Nicola Fratoianni dhe Riccardo Magi. I pranishëm është edhe Edoardo Ziello, përfaqësues i Futuro Nazionale.

Ministri i Arsimit: 300 shkolla kanë marrë kërcënime

Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka konfirmuar se rreth 300 shkolla në të gjithë vendin kanë marrë mesazhe elektronike me paralajmërime për bomba.

Ai paralajmëroi se numri mund të jetë edhe më i lartë, pasi raportimet vazhdojnë.

Sipas ministrit, kërcënimet nuk janë kufizuar vetëm te shkollat, por kanë përfshirë edhe fluturime, supermarkete dhe institucione të tjera.

Valditara deklaroi se shërbimet e inteligjencës dhe organet hetimore janë angazhuar për të identifikuar personat që qëndrojnë pas mesazheve.

Dyshime për një strategji destabilizimi

Autoritetet italiane po shqyrtojnë mundësinë që kërcënimet të jenë pjesë e një strategjie të organizuar për përhapjen e panikut.

Ministri Valditara tha se numri shumë i madh i alarmeve sugjeron besueshmëri të ulët të kërcënimeve konkrete, por theksoi se institucionet duhet të qëndrojnë vigjilente.

Ai e lidhi situatën me rrezikun në rritje të luftës hibride, përmes së cilës mund të synohet destabilizimi i vendeve dhe ekonomive.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë identifikuar publikisht përgjegjësit dhe nuk është konfirmuar përfshirja e ndonjë shteti të huaj.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit