Lashkoska në Radovish: Me investime në infrastrukturën ujore drejt një mjedisi jetësor më të sigurt dhe kushteve më të mira për qytetarët

Advertisement

 

Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, sot qëndroi në një vizitë pune në Komunën e Radovishit, ku zhvilloi një takim me kryetarin e komunës, Lupçe Poçivalec, gjatë të cilit u diskutua për realizimin e projekteve aktuale dhe të planifikuara infrastrukturore, si dhe për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe vetëqeverisjes lokale në Komunën e Radovishit.

Në kuadër të vizitës, zëvendësministrja Lashkoska dhe kryetari i komunës Poçivalec kryen inspektim në realizimin e projektit për rregullimin e shtratit të lumit Oraoviçka, për të cilin Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, nëpërmjet Programeve për Ujëra për vitet 2025 dhe 2026, ka siguruar mjete në vlerë prej 12 milionë denarësh. Realizimi i këtij projekti ka rëndësi të veçantë për përmirësimin e mbrojtjes nga përmbytjet, zvogëlimin e rreziqeve nga dalja e lumit nga shtrati dhe avancimin e sigurisë së popullsisë dhe pronave përreth.

Vëmendje e veçantë gjatë takimit të punës iu kushtua edhe projektit të planifikuar për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe kanalizimit atmosferik në Bllokun Urban 15 në Radovish, realizimi i të cilit parashihet të mbështetet financiarisht nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Ky investim infrastrukturor paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve komunale, sigurimit të furnizimit më të qëndrueshëm me ujë dhe menaxhimit më efikas të ujërave të ndotura dhe ujërave atmosferike.

Në takim u theksua se zbatimi i suksesshëm i projekteve infrastrukturore kërkon koordinim dhe partneritet të vazhdueshëm ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, me prioritete të përcaktuara qartë, të cilat burojnë nga nevojat reale të popullsisë.

„Qytetarët nuk e matin suksesin e institucioneve vetëm në bazë të mjeteve të investuara, por sipas përmirësimeve që i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme. Pikërisht për këtë arsye, çdo projekt i realizuar, çdo metër i ndërtuar i rrjetit të ujësjellësit ose kanalizimit dhe çdo shtrat i rregulluar i lumit për ne përfaqëson investim në sigurinë, shëndetin dhe cilësinë më të mirë të jetës së tyre. Qëllimi ynë është që investimet në mjedisin jetësor të jenë të dukshme përmes përfitimeve konkrete për qytetarët dhe të krijojnë vlera të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme“, theksoi zëvendësministrja Lashkoska.

Në këtë drejtim, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor edhe gjatë vitit 2027 do të vazhdojë të zhvillojë bashkëpunimin me Komunën e Radovishit, me fokus në realizimin e projekteve prioritare infrastrukturore, menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve ujore dhe përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të jetesës së popullsisë lokale.

MMJPH-ja punon me përkushtim që, përmes investimeve të vazhdueshme, menaxhimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore dhe partneritetit me vetëqeverisjet lokale, të krijojë zgjidhje afatgjata për sfidat ekologjike dhe infrastrukturore, me një qëllim të qartë – vendbanime më të sigurta, mjedis jetësor më të pastër dhe cilësi më të mirë të jetës për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit