Maliqi i drejtohet Paçukut të BDI-së: Jurisprudencën e bëjmë shqip, ju nuk e bëtë për 22 vite!

Advertisement

Arbnor Maliqi nga Forumi rinor i VLEN-it në emisionin “ZOOM” në TVM2, ka deklaruar se provimi i jurisprudencës tani do mund të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa të gjitha pjesët teorike do të zhvillohen në shqip.

Sipas Maliqit, pjesa penale dhe ajo civile, të cilat përfshijnë edhe komponentin praktik dhe shqyrtimin e akteve reale gjyqësore do të realizohen me përkthim, ndërsa studentët shqiptarë do të kenë në dispozicion përkthyes.

Deklarata e tij vjen pasi gjatë seancës së sotme, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

“Provimi i jurisprudencës po bëhet shqip, të gjitha provimet teorike do të jenë në shqip”, deklaroi Maliqi.

Gjatë debatit në emision, ai iu kundërpërgjigj edhe përfaqësuesit të BDI-së, Ylli Paçuku duke ngritur çështjen e mosrealizimit të kësaj kërkese në periudhën e kaluar.

“Pse nuk e keni realizuar nga viti 2019 deri në vitin 2024? Ne jemi qe dy vjet në pushtet, ju keni qenë 22 vjet”, iu drejtua Maliqi, Paçukut.

Më tej, ai bëri të ditur se ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari u ka premtuar studentëve formimin e një grupi punues me përfaqësues të tyre me qëllim zgjidhjen e çështjes së gjuhës shqipe edhe në provimet e tjera profesionale.

“Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari u ka premtuar studentëve se do të krijohet një grup punues me ta për të zgjidhur të gjitha provimet e tjera profesionale. Ne do t’i bëjmë të gjitha”, përfundoi Maliqi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit