Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Sistemi “Qytet i Sigurt” do të zgjerohet deri në muajin shkurt në të gjithë territorin e vendit, fillimisht në Strumicë, më pas në Shtip dhe Manastir. Ministria e Punëve të Brendshme pret që nga gjobat e trafikut të arkëtojë rreth 10 milionë euro në vit, prej të cilave një e katërta do t’i rikthehen MPB-së për përmirësimin e sigurisë në komunikacion.
Kamera për kontrollin e trafikut do të vendosen edhe në pikën kufitare Bllacë, ndërsa nga muaji shkurt automjetet policore do të pajisen me kamera mobile që do të mund të matin shpejtësinë e automjeteve të tjera dhe të regjistrojnë shkelje edhe gjatë lëvizjes në rrugë.
Këto janë disa nga risitë që i paralajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në konferencën për media ku prezantoi rezultatet e vitit të parë të zbatimit të projektit “Qytet i Sigurt”.
Testimi i kamerave të reja në automjetet policore pritet të nisë gjatë muajit të ardhshëm, ndërsa funksionaliteti i plotë i tyre të vendoset më së voni deri në shkurt. Paralelisht vazhdon edhe zgjerimi i sistemit në qytetet e tjera. Sipas planit të paralajmëruar, në javën e parë të dhjetorit sistemi duhet të nisë zbatimin zyrtar në territorin e SPB-Strumicë. Më pas do të vijojë Shtipi, ku aktivitetet pritet të përfundojnë deri në fund të vitit, ndërsa qyteti i radhës do të jetë Manastiri.
Për funksionimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të sistemit do të nevojiten edhe mjete financiare. Toshkovski bëri të ditur se projekcionet e MPB-së janë që nga gjobat e trafikut të arkëtohen rreth 10 milionë euro në vit. Nga këto mjete, 25 për qind do të derdhen në buxhetin e policisë dhe do të investohen sërish në aktivitete që lidhen me sigurinë në komunikacion dhe avancimin e sistemit.
Toshkovski njoftoi gjithashtu se projekti “Qytet i Sigurt” ka fituar vendin e parë në kategorinë “Ekselencë në Sigurinë në Komunikacion” në Samitin Botëror të Policisë në Dubai, ku projekti maqedonas u rendit para policive të Singaporit dhe Abu Dabit, Drejtorisë së Rrugëve dhe Transportit të Dubait dhe shërbimit policor të shtetit indian Maharashtra.
Për këto çmime kanë arritur më shumë se 700 nominime nga mbi 60 shtete në 13 kategori, ndërsa fituesit janë përzgjedhur përmes vlerësimit të pavarur profesional, intervistave dhe analizës së rezultateve teknologjike dhe operative.
“Kur e filluam projektin ‘Qytet i Sigurt’, shumëkush dyshonte se më në fund do të funksiononte sistemi për të cilin flitej prej vitesh. Sot kam nderin t’ju njoftoj se deri ku kemi arritur në këtë plan. Maqedonia fitoi vendin e parë në kategorinë për ekselencë në sigurinë në komunikacion në Samitin Botëror të Policisë në Dubai”, tha Toshkovski.
Ai bëri të ditur se në pikën kufitare Bllacë do të vendosen edhe kabina për pagesën e gjobave për automjetet me targa të huaja.
“Do të vendosen kabina në PKK Bllacë për pagesën e gjobave të automjeteve me targa të huaja. Do t’u rekomandoja të gjithë shoferëve që e përdorin këtë pikë kufitare ta shkarkojnë aplikacionin dhe të kontrollojnë nëse kanë kryer ndonjë shkelje gjatë qëndrimit në territorin tonë, në mënyrë që ta paguajnë më shpejt gjobën dhe të mos krijohen vonesa në kufi”, deklaroi ministri.
Përveç pajisjes së automjeteve policore, MPB-ja do të furnizojë edhe radarë të rinj mobilë që do të vendosen në të ashtuquajturat pika të zeza të trafikut, pra në lokacionet ku më së shpeshti ndodhin aksidente të rënda me pasoja fatale ose lëndime të rënda.
Toshkovski sqaroi se analizat kanë treguar se kamerat fikse nuk janë të mjaftueshme për të arritur efektin e dëshiruar parandalues, pasi shoferët e ulin shpejtësinë para radarëve dhe më pas e rrisin sërish.
“Për këtë arsye ekspertët propozuan që t’i pajisim edhe automjetet ekzistuese policore me sisteme që do të mund të detektojnë shpejtësinë e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion edhe gjatë kohës kur patrullat policore janë në lëvizje”, theksoi ministri.
përcjell Zhurnal.mk .








