Ministria e Punëve të Brendshme planifikon ta zgjerojë projektin “Qyteti i Sigurt” me kamera mobile për kontrollin e shpejtësisë, si dhe me pajisje të instaluara në automjetet policore, të cilat do të mund të regjistrojnë kundërvajtje në trafik edhe gjatë lëvizjes së tyre. Këtë e bëri të ditur sot në një konferencë për media ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ai theksoi se analizat e deritanishme kanë treguar se vendosja e kamerave vetëm në lokacione të paracaktuara nuk do të ketë efekt të mjaftueshëm parandalues. Qëllimi është që shoferët të jenë të vetëdijshëm se mund të kapen duke shkelur rregullat e trafikut, pavarësisht se ku qarkullojnë.
Sipas propozimeve të ekspertëve, automjetet ekzistuese policore duhet të pajisen me kamera që do të matin shpejtësinë e automjeteve edhe gjatë lëvizjes. Paralelisht, është planifikuar edhe blerja e kamerave mobile, të cilat do të vendosen në të ashtuquajturat pika të zeza, përkatësisht në lokacionet ku më së shpeshti ndodhin aksidente trafiku me viktima dhe persona të lënduar rëndë.
Toshkovski tha se do të punohet për identifikimin e të gjitha pikave kritike të trafikut në vend, si në zonat urbane, ashtu edhe në rrugët magjistrale dhe ekspres.








