Një valë e re mashtrimesh telefonike ka përfshirë rajonin e Shtipit, ku në shënjestër janë kryesisht qytetarët e moshuar. Policia ka regjistruar një numër të shtuar denoncimesh për mashtrime dhe tentativa mashtrimi.
Sipas SPB-së në Shtip, persona të panjohur telefonojnë nga numra të huaj dhe u thonë viktimave se familjarët apo nipërit e tyre janë lënduar rëndë dhe kanë nevojë për operacion urgjent.
Duke shfrytëzuar frikën dhe shqetësimin e të moshuarve, mashtruesit kërkojnë shuma të mëdha parash. Disa qytetarë, duke besuar se po shpëtojnë jetën e të afërmve, kanë dorëzuar kursimet e tyre.
Policia apelon që qytetarët të mos u besojnë telefonatave të dyshimta dhe çdo rast të ngjashëm ta denoncojnë menjëherë në numrin falas 112, për të mundësuar identifikimin dhe kapjen e autorëve.








