Nga 1 dhjetori rregulla të reja për pushimin mjekësor, kontrolle shtesë pas 5 ditësh

Advertisement

Nga 1 dhjetori do të zbatohen kritere të reja për lëshimin e pushimit mjekësor. Afati gjatë të cilit mjeku amë mund të miratojë pushim pa ekzaminime shtesë shkurtohet nga shtatë në pesë ditë. Për vazhdimin e pushimit do të nevojiten kontrolle specialistike ose ekzaminime shtesë, varësisht nga diagnoza. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se pacientët duhet të kthehen në punë pas ditës së pestë.

Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor sqarojnë se mjekët amë do të vazhdojnë të kenë të drejtë të miratojnë pushim mjekësor deri në 15 ditë, ndërsa për periudha më të gjata do të vendosë komisioni mjekësor. Në raste të arsyetuara, do të mund të lëshohet edhe udhëzim me prioritet për kontroll më të shpejtë specialistik.

 

 

Megjithatë, mjekët shprehin shqetësim për rastet kur pacientët nuk arrijnë të sigurojnë me kohë termin te specialisti dhe kërkojnë sqarime shtesë për zbatimin e kritereve të reja. Për pushimet mjekësore që zgjasin mbi 60 ditë, si rregull, do të kërkohet mendim nga tre specialistë. Përjashtim do të ketë për disa sëmundje të rënda, ndërsa për pacientët kronikë do të mund të përdoren edhe rezultatet e mëparshme diagnostikuese, nëse janë ende të vlefshme.

Rregullorja parasheh edhe lëshimin elektronik të raporteve, si dhe të drejtën e pacientëve për të paraqitur ankesë nëse nuk pajtohen me vlerësimin mjekësor. Për të sqaruar zbatimin e rregullave të reja, Fondi ka paralajmëruar punëtori me mjekët amë më 19 dhe 20 nëntor, si dhe debat të hapur me përfaqësuesit e tyre.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit