Tre ushtarë janë vrarë dhe të paktën 16 persona të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dronë të pajisur me eksplozivë ndaj një baze ushtarake në veri të Kolumbisë.
Sulmi ndodhi të shtunën në objektin ushtarak në Santa Rosa del Sur, në departamentin e Bolivarit. Sipas ushtrisë kolumbiane, dronët bartnin mjete shpërthyese dhe goditën instalimet ushtarake.
Pamjet e publikuara në mediat lokale dhe rrjetet sociale tregojnë re të mëdha tymi pas shpërthimeve, ndërsa ushtarët shihen duke u strehuar në hapësirat e mbrojtura të bazës.
Sipas raportimeve të Associated Press, nga sulmi mbetën të vrarë tre ushtarë dhe të paktën 16 persona u plagosën. Ushtria bëri të ditur se disa prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.
Zona ku ndodhi sulmi është e pasur me miniera ari dhe prej kohësh është objekt përplasjesh mes grupeve të armatosura, përfshirë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (ELN) dhe organizata të tjera kriminale.
Autoritetet kolumbiane kanë nisur hetimet për identifikimin e përgjegjësve. Presidenti Abelardo de la Espriella dënoi sulmin dhe urdhëroi intensifikimin e operacioneve ushtarake në rajon.
Sulmi vjen në një periudhë të rritjes së dhunës në zonat rurale të Kolumbisë, ku grupet e armatosura po përdorin gjithnjë e më shumë dronë me eksplozivë kundër forcave të sigurisë./Alsat.mk








