Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj Ali Ahmetit, duke e akuzuar se për 22 vjet ka mbajtur të painformuar opinionin lidhur me përfshirjen e shqiptarëve në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

Në një status në rrjetet sociale, ajo rikujton se në vitin 2004, Qeveria e atëhershme e Maqedonisë kishte depozituar në Këshillin e Evropës një raport zyrtar, në të cilin shqiptarët përfshiheshin shprehimisht në kategorinë e popujve që mbrohen nga kjo konventë.
Sipas Stafait, ky dokument përbën një çështje thelbësore, pasi në raportin zyrtar të dorëzuar në Këshillin e Evropës, shqiptarët trajtohen si pakicë kombëtare. Ajo e lidh këtë përcaktim me problemet që, sipas saj, kanë shoqëruar statusin e shqiptarëve ndër vite.
Në reagimin e saj, Stafai i është drejtuar drejtpërdrejt Ahmetit me pyetjen: “He more Ali Ahmeti! Sa e ke kullotur këtë popull për 22 vjet?!”
Ajo ka shtuar se shqiptarët ishin përfshirë shprehimisht në deklaratën e rishikuar të Maqedonisë, të dorëzuar në Këshillin e Evropës më 2 qershor 2004.
“Vonë jeni zgjuar nga gjumi!”, ka përfunduar reagimin deputetja e VLEN-it.








