Zelenskyy: “Marrëveshja e madhe” e përmendur nga Trump mund të jetë e “rrezikshme”

Advertisement

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se një “marrëveshje e madhe”, e përmendur në fillim të kësaj jave nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë, mund të jetë e rrezikshme, transmeton Anadolu.

“Mes nesh, për mua kjo nuk është e thjeshtë dhe mund të jetë e rrezikshme”, tha Zelenskyy në një intervistë për CNN, një pjesë e së cilës u publikua dje, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me atë që di për kornizën e një marrëveshjeje të përmendur nga homologu i tij amerikan.

Të enjten, Trump konfirmoi para gazetarëve në Zyrën Ovale se ishte takuar me të dërguarin e presidentit rus, Kirill Dmitriev, i cili më herët gjatë asaj dite kishte marrë pjesë në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, të organizuar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump.

I pyetur se çfarë kishin diskutuar, Trump tha: “Nuk mund t’ju tregoj se çfarë diskutuam. Por po ju them se do të ketë një marrëveshje, do të jetë një marrëveshje e madhe. Ajo do të përfshijë më shumë se Ukrainën dhe madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe e mrekullueshme dhe të gjithë do të jenë të kënaqur”.

Në intervistën e tij të premten, Zelenskyy tha se ka shumë propozime dhe bisedime, disa prej të cilave i cilësoi si “të dobishme dhe shumë të rëndësishme”, duke shprehur mbështetjen e tij për një armëpushim në Ukrainë, të pasuar nga ulja e tensioneve.

“Ne ende nuk kemi parë asnjë lloj dëshmie apo sinjali nga pala ruse se ata janë të gatshëm të bëjnë diçka. Prandaj është e rrezikshme”, tha ai.

Zelenskyy argumentoi se kur Rusia nuk dëshiron të flasë për një zgjidhje, ajo kërkon ta nisë dialogun me diskutime për një arkitekturë të re të sigurisë në Evropë, gjë që ai beson se është e “rrezikshme” për të gjithë Evropën, por më shumë për BE-në sesa për Ukrainën.

“Ne nuk duam një Jaltë, një Jaltë 2. Ne nuk jemi të gatshëm për një format të tillë. Ne nuk duam të ndahemi nga Rusia”, shtoi ai, duke iu referuar konferencës së vitit 1945 me të njëjtin emër, gjatë së cilës fuqitë aleate diskutuan rendin në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se sovraniteti dhe integriteti territorial janë thelbësore për çdo shtet të pavarur, duke theksuar se, së paku, fqinjët e tij duhet t’i respektojnë ato që vendi të mund të bëhet një “shtet i lirë dhe demokratik”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit