Franca sot u përfshi nga një valë e re protestash masive dhe grevash për shkak të pagave, kostos së lartë të jetesës dhe gjendjes së shërbimeve publike.
Në Lion shpërthyen përleshje mes protestuesve dhe policisë, e cila ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës. Ndërkohë, një zjarr shpërtheu në një shkollë të mesme pranë Tuluzës, pasi u hodhën mjete piroteknike.
Për shkak të grevës, u mbyll edhe Kulla Eifel, ndërsa në të gjithë vendin u angazhuan rreth 70 mijë policë, transmeton “Deutsche Welle”.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, deklaroi se numri i protestuesve ishte rritur ndjeshëm gjatë pasdites, nga 270 mijë në 600 mijë deri në mbrëmje.
Pesë sindikatat që organizuan protestat, të cilat përfaqësojnë sektorin publik dhe privat, kërkojnë nga qeveria të ndërmarrë masa për përmirësimin e shërbimeve publike dhe përballimin e rritjes së çmimeve.
Protestave të punonjësve të sektorit publik dhe privat iu bashkuan edhe studentët, të cilët gjatë muajit të fundit kanë organizuar protesta të shumta.
Një nga protestat më të mëdha studentore në tetor përfundoi me dhunë, ku pjesëmarrësit në trazira vandalizuan dyqane. Ndërkohë, në qytetin Limoges, në Francën qendrore, flakët përfshinë çatinë e bashkisë së qytetit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, akuzoi grupet e së majtës ekstreme për dhunën dhe premtoi shtim të pranisë së forcave të sigurisë gjatë protestave.








