Në Ditën Botërore të Gjuhës Rome, e cila shënohet më 5 nëntor, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka përcjellë një mesazh urimi për komunitetin rom, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë së tij kulturore. Me këtë rast, ministrja ka ndarë edhe një lajm për arsimin, duke bërë të ditur se historia dhe kultura rome janë përfshirë në programet mësimore.
Në mesazhin e saj, Kumbaro ka uruar komunitetin rom, duke theksuar rëndësinë e promovimit të gjuhës dhe vlerave kulturore, si dhe të krijimit të mundësive të barabarta për fëmijët romë.
Ministrja bëri të ditur se, duke nisur nga ky vit shkollor, historia dhe kultura rome janë përfshirë në programet e lëndës së Historisë për klasat VI dhe X.
Ndërkohë, nga viti shkollor 2027–2028, këto përmbajtje do të zgjerohen edhe në klasat VII dhe XI.
Sipas Kumbaros, kjo nismë është pjesë e angazhimit për një arsim gjithëpërfshirës dhe e Planit Kombëtar të Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrje të Romëve dhe Egjiptianëve 2026–2030.
Përfshirja e historisë dhe kulturës rome në kurrikulën shkollore synon të rrisë njohuritë e nxënësve mbi trashëgiminë e këtij komuniteti, duke nxitur respektin për diversitetin kulturor dhe gjithëpërfshirjen.








