Presidentja Shiroka Pula takon ministrin zviceran Ignazio Cassis, diskutojnë thellimin e marrëdhënieve dypalëshe

Advertisement

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, i cili njëkohësisht ushtron detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke falënderuar ministrin Cassis për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran ndaj Kosovës.

Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve zvicerane në Kosovë. Presidentja vlerësoi bilancin tregtar ndërmjet dy vendeve, por nënvizoi se ekziston potencial për zgjerimin e mëtejmë të tij, përmes mundësive që ofron Asociacioni Evropian i Tregtisë së Lirë (EFTA).

Një tjetër temë e diskutimit ishte mbështetja e Zvicrës për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimin e procesit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Shiroka Pula vuri në pah edhe rolin e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet dy shteteve, përmes kontributit të saj në shoqërinë zvicerane.

Presidentja shprehu gjithashtu mirënjohjen për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999.

Nga ana e tij, ministri Ignazio Cassis rikonfirmoi përkushtimin e Zvicrës për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës edhe në të ardhmen, duke shprehur mbështetjen e tij edhe për presidenten Shiroka Pula./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit